Përmbyllet workshop-i 3-ditor në Lezhë “Nxitja e mbështetjes së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar ndaj prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, përmes Këshillimit”

Dita e parë e workshop-it 3-ditor në Lezhë “Nxitja e mbështetjes së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar ndaj prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, përmes Këshillimit”
November 25, 2019
Kërkohet – Ekspert i jashtëm për kuadrin ligjor në fuqi dhe masat e politikave të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi, me fokus fëmijët me aftësi të kufizuar
January 10, 2020

Përmbyllet workshop-i 3-ditor në Lezhë “Nxitja e mbështetjes së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar ndaj prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, përmes Këshillimit”

U përmbyll me sukses workshop-i 3-ditor zhvilluar në Lezhë me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar “Nxitja e ofrimit të mbështetjes së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar ndaj prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, përmes Këshillmit” në zbatim të projektit “Mbrojtja e fëmijës me aftësi të kufizuar – Qasje sistematike”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Terre des hommes në Shqipëri (Tdh) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Burimore të Trajnimit dhe Asistencës Teknike (ANTTARC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi dhe Dhuna në Shqipëri”,.

Gjatë 2 ditëve vijuese të workshop-it, për prindërit pjesëmarrës të fëmijëve me aftësi të kufizuar që frekuentojnë Qendrën e Zhvillimit Ditor Lezhë, Qendrën Multifunsionale të Terre des hommes dhe shkollat 9-vjeçare në Lezhë, u mundësua rritja e njohurive lidhur me tiparet e një këshilluesi, rëndësia/përfitimet që sjell këshillimi, rregullat e procesit të këshillimit, këshillimi individual/grup, marrëdhënia midis këshilluesit dhe të këshilluarit, identifikimi i emocioneve dhe menaxhimi i tyre, rëndësia e marrëdhënies dhe komunikimit prind-fëmijë dhe prind-prind, evidentimi i dhunës tek fëmijët, etj.

Gjithashtu, prindërit përvetësuan disa metoda praktike përmes zhvillimit të sesioneve të simuluara të këshillimit në grup, nën udhëheqjen e prindërve lider, duke arritur kështu në një kuptuar më të qartë të funksionimit të procesit të këshillimit dhe rolit të tyre si këshillues dhe i këshilluar. Përmes ndarjes së historive personale dhe identifikimit/eksplorimit të emocioneve dhe përjetimeve, u arrit krijimi i një mjedisi të sigurtë që nxit mbështetjen midis prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Prindërit pjesëmarrës shprehën vlerësimin mbi dobinë e takimeve të tilla pasi kanë mundësi të ndajnë dhe marrin informacione të vlefshme, ndihen të kuptuar/mbështetur, të paparagjykuar për t’u shprehur, ndjejnë se kanë një hapësirë për të ndarë përjetimet e tyre. I gjithë procesi ndikon për rritjen dhe fuqizimin e tyre personal, nxitjen e vetë-ndihmës, e rrjedhimisht kjo sjell ndikim edhe në ndërtimin e një marrëdhënieje më të mirë me fëmijën e tyre dhe të një mjedisi të shëndetshëm familjar për mbrojtjen nga dhuna/abuzimi.

Gjithashtu, u theksua nevoja që këto takime të organizohen në mënyrë periodike dhe në ambiente të përshtatshme nga institucionet përgjegjëse/qendrat që ofrojnë shërbime dhe të diskutohet mbi evidentimin e hershëm dhe ngritjen e mjeteve parandaluese për dhunën në familje dhe komunitet.

Si rrjedhim, në vijim, grupi i prindërve këshillues i përbërë nga 6 prindër, do të angazhohen të bashkëpunojnë në organizimin  e takimeve mbështetëse pranë Qendrës së Zhvillimit Ditor dhe jo vetëm dhe arritjen e prindërve të tjerë që nuk kanë informacion.