Aktivitet përmbyllës për prezantimin e gjetjeve, arritjeve dhe praktikave pozitive të projektit “Të rinjtë me aftësi të kufizuar – ndërtues të komuniteteve gjithëpërfshirëse”

Webmaster për ndërtim platforme online
July 24, 2019
CineForum – “My sister’s keeper”
July 30, 2019

Aktivitet përmbyllës për prezantimin e gjetjeve, arritjeve dhe praktikave pozitive të projektit “Të rinjtë me aftësi të kufizuar – ndërtues të komuniteteve gjithëpërfshirëse”

Në përmbyllje të projektit në Bashkinë Fier “Të rinjtë me aftësi të kufizuar – ndërtues të komuniteteve gjithëpërfshirëse” , financuar nga GIZ – Programi ProSEED, CoDe Albania organizoi në ambientet e Qendrës Multifunksionale “Horizont”, aktivitetin përmbyllës për prezantimin e gjetjeve, arritjeve dhe praktikave pozitive të projektit përgjatë 9 muajve të zbatimit të tij.

Aktorët lokalë të pranishëm, ndër të cilët përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit Social, Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik, stafi i Qendrës Multifunksionale “Horizont”, Qendra Sociale “Muraldo” dhe vetë të rinjtë me aftësi të kufizuar si dhe prindërit/kujdestarët e tyre, u njohën me praktikat e projektit lidhur me orientimin e të rinjve me aftësi të kufizuar drejt formimit profesional, punësimit dhe integrimit social. Roli i projektit u vlerësua, duke marrë parasysh faktin që përgjatë viteve të fundit nuk ka patur prani të projekteve për aftësisë së kufizuar në Bashkinë Fier.

Përfaqësuesja nga ZP, informoi të rinjtë dhe prindërit për përfitimet nga Programet për formim profesional që po zbatohen aktualisht dhe procedurat që duhet të ndjekin, duke ofruar një perspektivë pozitive për. Gjithashtu, Drejtori i QFPP, parashtroi mbështetjen maksimale nga ana e insititucionit dhe theksoi kontributin e projektit në mundësimin e kompjuterave me programin Jaws për të verbërit, si një risi për qendrën. Nga ana tjetër, koordinatorja e Qendrës Sociale Muraldo, vlerësoi nismën “Zbulo Veten” dhe u shpreh e hapur në vijim që të rinjtë me aftësi të kufizuar së bashku me grupet e tjera të të rinjve, të integrohen aktivisht në aktivitetet social-kulturore që ofrohen në qendër.

Në përfundim, u parashtruan rekomandime nga grupet e interesit lidhur me lehtësimin e procesit në vijim, duke filluar që nga marrja e masave për zbatimin e ligjit mbi aksesueshmërinë dhe modelit të komunitetit pa barriera, e duke vijuar me monitorimin e ligjit mbi punësimin për të rinjtë me aftësi të kufizuar. Nisma e ndërmarrë nga projekti, do të vijojë të zbatohet në vazhdim nga bashkëpunëtorët lokalë në sajë edhe të fuqizimit të sistemit të referimit të rasteve të të rinjve me aftësi të kufizuar me interes për formim apo punësim, në dobi të fuqizimit social-ekonomik të tyre.

WhatsApp chat