Zhvillohet takimi lidhur me sfidat dhe perspektivat e punësimit të të rinjve me aftësi të kufizuar në Bashkinë Durrës

Aktivitet Social tek Shtëpia e Fëmijës 6 – 16 vjeç, Shkodër
July 13, 2019
Takimi konsultues mbi sistemin e referimit rasteve të të rinjve me aftësi të kufizuar me aktorët lokalë në Bashkinë Fier
July 19, 2019

Zhvillohet takimi lidhur me sfidat dhe perspektivat e punësimit të të rinjve me aftësi të kufizuar në Bashkinë Durrës

Në kuadër të zbatimit të projektit në Bashkinë Durrës “Të rinjtë me aftësi të kufizuar – ndërtues të komuniteteve gjithëpërfshirëse”, financuar nga GIZ – Programi ProSEED, CoDe Albania organizoi ditën e sotme takimin me përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit Social në Bashkinë Durrës, Zyrën e Punësimit Durrës, Drejtorisë së Shëndetit Publik, subjekteve lokale private, të rinj me aftësi të kufizuar përfitues të projektit dhe kujdestarët/prindërit e tyre.

Në fokus të takimit ishte diskutimi lidhur me punësimin e të rinjve me aftësi të kufizuar si element kyç i integrimit të tyre në komunitet, si edhe sfidat dhe perspektivat.

Përfaqësuesit e DSHS dhe ZP, parashtruan disa nga politikat që janë ndërmarrë për fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional lidhur me përfshirjen sociale të të rinjve me aftësi të kufizuar, si edhe për nxitjen e punësimit të të rinjve me aftësi të kufizuar në bazë të dispozitave të përditësuara të Ligjit mbi Punësimin. Gjithashtu, subjektet lokale u njohën edhe me detyrimet dhe përfitimet në rast të punësimit të personave me aftësi të kufizuar.

Të rinjtë me aftësi të kufizuar të pranishëm parashtruan problematikat përsa i përket zbatimit të të drejtave të tyre dhe barrierat për integrimin në tregun e punës, duke vendosur theksin tek barrierat lidhur me aksesin fizik në institucionet publike dhe private që i pengojnë si për marrjen e informacionit dhe shërbimeve, ashtu edhe për integrimin social dhe ekonomik. Pjesë e diskutimit, ishte edhe marrja e masave në vijim lidhur me përmirësimin e aksesueshmërisë dhe rritjen e perspektivës për punësim të të rinjve me aftësi të kufizuar, por edhe bashkëndarja e praktikave pozitive të integrimit të tyre.

Në vijim të takimit, subjektet lokale u njohën me profilin e gjithësecilit prej të rinjve me aftësi të kufizuar lidhur me arsimimin, kualifikimin dhe aftësitë e tyre, duke vlerësuar kështu mundësinë për t’i mbështetur për formim, praktika pune apo punësim. Konkretisht, në sajë të bashkëpunimit me Zyrën e Punësimit, disa prej të rinjve që kanë qënë pjesë e projektit do të përfshihen në vijim në Programet e Nxitjes së Punësimit për formim dhe punësim. Gjithashtu, vlen për t’u falenderuar iniciativa e Qendrës së trajnimeve “Smart Center” Durrës – subjekt i cili ndërmori angazhimin për mbështetjen e të rinjve me aftësi të kufizuar përfitues të projektit me kurse trajnimi falas, orientim dhe ndërmjetësim për punë me bizneset private, sipas kërkesave dhe aftësive.

WhatsApp chat