Evanthi Suli
September 12, 2018
Elisabeta Shatri
September 13, 2018

Erlini Kokalla

Quhem Erlini Kokalla. Jam 22 vjeç, lindur në Vlorë. Aktualisht jam duke ndjekur studimet Master për Shëndet Publik, në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë. Që prej 2 vitesh jam aktiviste në organizatën CoDe Albania. U njoha fare rastësisht me organizatën dhe nisa të kuptoj se përmes saj do të kisha mundësi të jepja nga vetja. Gjithmonë kam dashur të jap kontributin tim sadopak të vogël në shoqëri. CoDe Albania ma dha këtë mundësi duke më ndihmuar të aftësohem më tepër, të marr mbi vete përgjegjësi dhe të kuptoj kapacitete të miat që më parë nuk i njihja. U bëra pjesë e Forumit Rinor, në grupin punës “Diversiteti Social-Kulturor”. Më pëlqenin shumë nismat sociale që ndërmerreshin, duke nxitur në këtë mënyrë ndikimin pozitiv që duhet të kenë të rinjtë në shoqëri. Gjithashtu, u angazhova si koordinatore lokale e projektit pilot “Rinia, Vendimmarrja dhe Angazhimi në Nismat Sociale” në Vlorë, i mbështetur nga projekti “Rinia Shqiptare në Veprim 2017-2019”.  Zbatimi i këtij projekti ishte diçka e re për mua dhe e prita me entuziazëm, por njëkohësisht edhe me frikë. Barrierat nuk munguan, por falë punës, këmbënguljes dhe bashkëpunimit, arritëm të kishim sukses. Gjatë kësaj periudhe kam arritur të përfitoj eksperienca të reja dhe të kuptoj rolin tim.  Kam kuptuar se të rinjtë mund të jenë shumë produktivë, por iu nevojitet mbështetje, orientim, mundësi dhe pikërisht projekti “Rinia Shqiptare në Veprim” ua ofron mundësinë të rinjve për të fuqizuar kapacitetet dhe mbështetur iniciativat e tyre inovative.

WhatsApp chat